SOMALIA Mentor Tahiri
Prishtinë Shkurt, 2014
Mentor Tahiri: Somalia
Përmbajtja Fakte të shkurtra mbi Somalinë ...
105 downloads
745 Views
846KB Size
Report
This content was uploaded by our users and we assume good faith they have the permission to share this book. If you own the copyright to this book and it is wrongfully on our website, we offer a simple DMCA procedure to remove your content from our site. Start by pressing the button below!
Report copyright / DMCA form
SOMALIA Mentor Tahiri
Prishtinë Shkurt, 2014
Mentor Tahiri: Somalia
Përmbajtja Fakte të shkurtra mbi Somalinë ............................................................................................. 3 Hyrje ..................................................................................................................................... 4 Somalia 1960-1991 ................................................................................................................ 8 Zhbërja e shtetit .................................................................................................................. 12 Angazhimi ndërkombëtarë 1992-1995 ................................................................................. 15 Vazhdimi i luftës dhe Qeveritë Tranzitore ............................................................................ 19 Shteti Federal i Somalisë dhe përpjekjet për unifikim ........................................................... 22 Pirateria detare ................................................................................................................... 24 Rezyme dhe rekomandime .................................................................................................. 29 Bibliografia .......................................................................................................................... 32
Hartat dhe tabelat sqaruese Harta 1: Harta e Somalisë ............................................................................................................................. 3 Harta 2: Harta e klaneve somaleze ............................................................................................................... 8 Harta 3: Grupet e Armatosura ne Somali me 1992 .................................................................................... 15 Harta 4: Depërtimet e piratëve somalez..................................................................................................... 27 Tabela 1: Aktivitetet e piraterisë detare somaleze ..................................................................................... 28
2
Mentor Tahiri: Somalia
Fakte të shkurtra mbi Somalinë Emri zyrtar i sotëm: Republika Federale e Somalisë; Emra zyrtar të mëparshëm: Republika e Somalisë (1960-1969), Republika Demokratike e Somalisë (1969-1991) Kryeqyteti: Mogadishu; Qytete të tjera me rëndësi: Hargaisa, Berbera, Eyl, Kismajo, Baidoa. Territori: 637,657 km2; Popullsia: 10.2 Milion (2012); Gjuhët zyrtare: Somaleze dhe arabe; Religjioni: Islam
Flamuri dhe stema
Harta 1: Harta e Somalisë
3
Mentor Tahiri: Somalia
Hyrje Jo vetëm në kohët e sotme, por edhe më parë ndonëse në rrethana shumë më të përballueshme për popullin e saj, Somalia ka zgjuar vëmendjen me problemet e vazhdueshme, përfshirë edhe periudhën para pavarësimit të vendit, kur ishte në vëmendjen e fuqive të dikurshme koloniale të cilat do të zhvillojnë ndërmjet tyre një garë politike shpesh me konfrontime ushtarake. Acarimet ndërmjet fuqive koloniale dalin në shesh sidomos kurrë këto shtete do të gjenden kundrejt njëra tjetrës në luftën e dytë botërore. Kështu, çështja somaleze do të bëhet një kontest ndërmjet Britanisë së madhe dhe Italisë, më vonë vjen edhe deri tek inkuadrimi i Francës. Arsye kryesore e kësaj përplasjeje mes fuqive koloniale është padyshim pozita strategjike e territoreve somaleze të cilat prekin ngushticën e cila shpie nga Deti i kuq në Gjirin e Adenit dhe tutje mbulojnë brigje të Oqeanit Indian. Ndërkohë në regjion po konsolidohej shteti i pavarur i Etiopisë me pretendimet e hapura në lidhje me territoret e banuara me somalezë. Bëhet fjalë për një periudhë kohore në të cilën kufijtë kolonialë në Bririn e Afrikës lëviznin jo pak herë, duke ndarë kështu në pjesë të ndryshme territorin e banuar me somalezët etnik, kufij këta që do t’i lënë për trashëgimi të mëvonshme këtij populli, ndarjen e tij në disa shtete, e madje do të kenë ndikime edhe në ndarjet e brendshme në kuadër të Somalisë e cila do të fitojë pavarësinë me 1960, ndarje të brendshme këto që do të reflektojnë gjerë në ditët e sotme kur ajo që njihej dikur si pjesë e kolonisë britanike do të shpallë pavarësinë në kuadrin e kufijve të dikurshme të kolonisë, nën emrin Somaliland për tu dalluar në aspektin identitarë nga vetë Somalia e groposur në anarkinë dhe kaosin e bandave rivale. Somalezët pas pavarësimit të shtetit të tyre, moment ky i cili erdhi me largimin e britanikëve dhe italianëve dhe pastaj pasoi me aktin politik të bashkimit të ish-kolonive që ishin nën administrimin e këtyre dy fuqive të dikurshme koloniale, do të kenë rreth 30 vite një ëndërr politike e cila për shtetin e ri dhe të brishtë do të shërbejë si një udhërrëfyes. Ishte kjo aspirata kombëtare për bashkimin e të gjitha territoreve të banuara me somalezë, duke menduar këtu në një atdhe të përbashkët që do të përfshinte Xhibutin e sotëm (ish koloninë franceze që do të 4
Mentor Tahiri: Somalia
fitojë pavarësinë), Ogadenin që sot ka status të njësisë federale në Etiopi me emrin “Somali”, si dhe atë që quhet Regjioni i kufirit verior në Keni. Pikërisht për këtë, flamuri somalez ka yllin me pesë cep duke aluduar në pesë pjesët e territorit etnik (Peterson, 2000, f. 11), dy nga të cilët përfshiheshin në Somalinë e pavarur, kurse tre pjesët tjera kishin mbetur jashtë kufijve shtetërorë por pa u harruar asnjëherë nga pretendimet e qeverisë në Mogadishu e cila për këtë qëllim nuk do të ngurojë edhe të zhvillojë inkursione ushtarake duke kaluar kufirin ndërshtetërorë mes Somalisë dhe Etiopisë. Këto inkursione nën urdhrat e atëherë liderit të pakontestueshëm somalez, majtistit Mohamed Siad Barre do të zmbrapsen vetëm pasi Bashkimi Sovjetik së bashku me shtete tjera të bllokut socialist do të ndihmojë haptazi Etiopinë. Përndryshe njësia federale “Somali” brenda Etiopisë është pothuajse e vetmja njësi homogjene në Etiopi sa i përket strukturës së popullsisë (Aalen, 2006, f. 6). Rrethanat e mëvonshme tragjike që kapluan Somalinë, të cilat në njëfarë mënyre filluan me rrëzimin e regjimit të Barres, të cilin më pas nuk mundi ta zëvendësojë asnjë qeveri stabile dhe gjithëpërfshirëse, do të bëjnë që Somalia jo vetëm të heqë dorë nga bashkimi i territoreve etnike somaleze, por edhe do të pësojë çarje të brendshme ku rajone të ndryshme do të shpallin pavarësinë me të cilën edhe “de facto” shkëputeshin nga Somalia, ndonëse asnjëherë nuk u njohën nga asnjë faktorë ndërkombëtarë. Me gjithë tragjedinë e cila goditi Somalinë, vetë komuniteti ndërkombëtarë më një lloj konsensusi të heshtur asnjëherë nuk vuri në diskutim kufijtë e jashtëm të shtetit somalez i cili në periudha të caktuara po ekzistonte vetëm në harta por jo edhe në realitetin në terren. Megjithatë rajoni i cili mbështetet gjeografikisht në gjirin e Adenit, kolonia e dikurshme britanike, e shpallur me emrin Republika e Somalilandit, megjithëse pa njohje ndërkombëtare, ka arritur mjaft mirë të konsolidojë në aspektin e brendshëm, themelet shtetërore me një ekonomi relativisht stabile bazuar në referencat krahasuese në rajonin e gjerë të kontinentit, e madje edhe duke anashkaluar plotësisht luftën qytetare e cila pjesët tjera të Somalisë i solli buzë greminës politike, ekonomike, sociale dhe mbi të gjitha shkaktoi efektet e saj negative humanitare, jo vetëm nga vrasjet të cilat nuk u ndalën për dy dhjetëvjeçarë por edhe nga vdekja e qindra mijëra njerëzve nga uria. 5
Mentor Tahiri: Somalia
Somalia një kohë të gjatë zgjon vëmendjen e opinionit ndërkombëtarë dhe thërret aktorët globalë të ri-mendojnë se si të reagojnë në rrethana të rënduara humanitare përtej çdo kufiri të së lejueshmes. Ajo vazhdon të thërras ndërgjegjen e njerëzimit por edhe të tregojë mbi papjekurinë politike të akterëve të atjeshëm, duke qenë jo rrallë herë në lajmet kryesore televizive, apo edhe duke qenë e pranishme në mënyra të ndryshme tek një audiencë e gjerë e publikut (qoftë edhe kinematografisë) dhe veprave të shkruara inspiruar nga luftimet atje dhe sidomos kohëve të fundit pas përshkallëzimit drastik të dukurive të grabitjes së anijeve, ku protagonist kryesorë janë piratët e armatosur të cilët vijnë të organizuar nga brigjet në të cilat sundon kaosi dhe anarkia. Somalia përveç tragjedisë e cila vazhdon të kushtojë rëndë për popullin e saj, me mungesën totale të sundimit të ligjit dhe të një çfarëdo pushteti shtetërorë të fuqishëm dhe të aftë, praktikisht riktheu nga sirtarët e historisë edhe njëherë termin pirateri detare, megjithëse në këtë aspekt nuk është rasti i vetëm në botë në ditët tona. Paradoksale, por masivizimi në shkallë kaq të madhe i piratërisë detare somaleze, me gjithë të këqijat e saj, mund fare lehtë të paraqesë një lloj fati në fatkeqësi, ngase duke qenë e padurueshme për sigurinë në shkallë të gjerë, pirateria detare si e tillë nuk mund të tolerohet gjatë nga komuniteti ndërkombëtarë, dhe për ta parandaluar, duhet që në Somali të merren masa konkrete për të sjell sundimin e ligjit dhe paqen por edhe të ketë qëndrueshmëri kohore të këtyre masave. Në të vërtetë, pirateria detare somaleze, imponoi një angazhim më serioz të mekanizmave ndërkombëtarë atje. Aktualisht, në Somali vazhdon të kërkojë mënyrat për konsolidimin e saj, një qeveri federale e mbrojtur edhe nga trupat paqeruajtëse të Unionit Afrikan. Komuniteti ndërkombëtarë është i vetëdijshëm se vendosja e një paqeje në Somali do të bënte këtë pjesë të botës më pak atraktive për një rrjet të organizuar të ekstremistëve siç është grupi “Al Shabab” që në emër të religjionit është organizuar ushtarakisht, por madje edhe hetohet për organizimin e sulmeve terroriste në një rajon më të gjerë, siç ishte rasti në Keni. Në kapitujt në vazhdim, do të provohet që çështjet e ngritura të gjejnë një trajtim më të gjerë si dhe të analizohen mundësitë për një zgjidhje të këtij problemi asimetrik dhe shumëdimensional 6
Mentor Tahiri: Somalia
për nga fushat në të cilat ka lëshuar rrënjë, problem i cili me përmasat e tij tani nuk godet vetëm popullin somalez por dhe afekton dëmshëm një sërë vendesh, individësh shtetas të ndryshëm apo edhe interesa ekonomike të kompanive të ndryshme botërore të cilat qarkullojnë mallrat e tyre nëpër ujerat detare ku kanë qasje piratët somalezë. Gjithsesi, vështrimi historik i zhvillimeve të së paku 50 viteve të fundit në dhe përreth Somalisë, si dhe trajtimi i strukturës sociale me aspektet e ndarjes së popullatës në baza klanore dhe nënklanore, janë mënyra të vetme kurse në planin metodologjik të hulumtimit edhe metoda të paevitueshme për të kuptuar rrethanat që sollën kaosin somalez. Urrejtja politike dhe konfliktet ndër-klanore sigurisht që nuk janë prodhuar brenda një dite. Somalia vazhdon të vuajë shumë divergjenca konfliktuoze si pasojë e ndarjes së dikurshme kolonialiste që ka krijuar trashëgimi të ndryshme politike në veri dhe në jug të vendit, kurse koha e diktatorit Barre vetëm i përforcoi ato duke shtuar edhe urrejtje tjera dhe dëshirë për hakmarrje si në rastin e relacioneve mes Barre dhe Aidid që shpërfaqen ashpërsinë e tyre duke krijuar rrethana të cilat bënë që në zonat e përplasjes së ushtrive të tyre, 220 mijë njerëz të vdesin nga uria.
7
Mentor Tahiri: Somalia
Somalia 1960-1991 Në regjionin e Bririt të Afrikës, të gjitha shtetet që kufizohen me Somalinë, janë shumetnike dhe shumë-konfesionale, por ky nuk është rast me Somalinë. Në përgjithësi nuk ka shumë të ngjarë në kontinentin afrikan që popullsia e një shteti të jetë kaq homogjene në aspektin e prejardhjes etnike sikurse somalezët. Ky fakt ka ndikuar që përpjekjet somaleze për të dëbuar fuqitë koloniale, të jenë të fuqishme dhe të organizuara. Qysh në fillim të shekullit të 20-të, britanikët u detyruan të përdorin edhe fuqinë ajrore për të mposhtur lëvizjen kryengritëse të udhëhequr nga prijësi fetarë Muhamaad Abdullah Hasan (Mukhtar, 2003, f. 51). Megjithatë, në mesin e somalezëve dhe në relacionet brenda tyre, përkatësia klanore dhe nënklanore është pjesë e fuqishme e identitetit të individit, gjë qe do të reflektohet paradoksalisht edhe gjatë viteve të Republikës Demokratike të Somalisë, kur përkundër faktit që sponzoruar nga shteti, përpiqej të krijohej një frymë nacionaliste për të tejkaluar divergjencat klanore, megjithatë vetë akterët e pushtetit mbështetjen bazë e gjenin pikërisht tek klani apo nën-klani nga i cili vinin. Ky identitet tradicionalisht ishte dhe u dëshmua se mbetet përcaktues dhe thelbësorë në preferencat politike.
Harta 2: Harta e klaneve somaleze
8
Mentor Tahiri: Somalia
Rrethanat e krijuara pas luftës së dytë botërore si dhe në përgjithësi procesi i dekolonizimit në botë nuk mundën të anashkalojnë Somalinë. Pjesa jugore e vendit ishte nën administrimin Italian, të cilët më pas këtë territor ia dorëzojnë Këshillit të Mirëbesimit të OKB-së, duke kaluar sërish në një administrim italian nën OKB. Në anën tjetër Somalilandi britanik do të mbetet koloni deri me 1960. Pikërisht nga këto dy territore, pa mundur të përfshihen edhe territoret tjera të banuara me somalezë, me 1960 do të krijohet Somalia e pavarur. Teknikisht, shteti i ri u krijua pra nga dy subjekte, Somalilandi Britanik dhe Somalia Italiane, territore ku kolonizatorët kishin kulturë të ndryshme mes tyre gjë që do të afektojë më vonë në momente të ndjeshme politike për vendin (Bradbury, 2008, fv. 32-33). Territoret tjera somaleze, do të mbesin jashtë kufijve të shtetit si pasojë e kompromiseve të dikurshme britanike me Perandorin e Etiopisë, Menelikun, andaj britanikët do t’i dorëzojnë Etiopisë regjionin e Ogadenit bazuar në marrëveshjen e vitit 1897, sipas të cilës Meneliku do të kompensohej territorialisht për ndihmën e dhënë gjatë shtypjes së lëvizjes kryengritëse somaleze. Ogadeni do të kalojë nën sovranitetit e Etiopisë në kohën kur në pushtet në Adis Abeba ishte Haile Sellasie. Kompensime territoriale me vise somaleze do t’i bëhen edhe Kenias. Ndërkaq ajo që njihej me emrin Somalia Franceze më vonë do të krijohet si shtet i ri i pavarur me 1977 me emrin Xhibuti dhe atë pas referendumit popullorë mbi fatin e territorit, ku 79% e banorëve ju përgjigjen ftesës për referendum, ndërsa 92% e tyre votuan pro pavarësisë (Selassie, 1980, f. 112). Shteti somalez që në dhjetëvjeçarin e tij të parë është karakterizuar me trazira politike. Me 1969 vritet në një atentat Presidenti Abdirashid Ali Shermarke, menjëherë pas kësaj ngjarje organizohet një grusht-shtet ushtarak i cili rrëzon pushtetin civil si dhe me gjak shuan çdo rezistencë. Grushteti ishte i udhëhequr nga Gjeneralmajori Mohamed Siad Barre, i cili do të bëhet edhe kreu i “Këshillit revolucionarë suprem” si organ më i lartë i shtetit. Somalia do të marrë rrugën e komunizmit dhe sipas shumë shembujve të asaj kohe në emërimin e shteteve në botën komuniste do të shpallet “Republikë Demokratike”. Mohamed
9
Mentor Tahiri: Somalia
Siad Barre krijoi relacione të mira me botën arabe dhe Somalia me 1974 do të bëhet anëtarë i Ligës Arabe, duke qenë edhe sot i vetmi shtet jo-arab anëtar i kësaj organizate. Barre do të instalojë në vend, sistem monist ku ndalohej veprimtaria e çfarëdo partie politike përveç Partisë Revolucionare Socialiste të Somalisë e cila ishte transformuar nga Këshilli revolucionarë suprem. Sipas udhëzimeve të Barre, aplikohej një marksizëm i cili sipas tij plotësohej me aspektet sociale të Islamit. Këtë ideologji ai e quante “Socializmi shkencorë”. Barre imponoi reformim të përgjithshëm të jetës shoqërore në Somali, ai kishte marrë pushtetin në një kohë kur gjuha somaleze ende nuk kishte alfabetin e saj dhe vetëm 5 përqind e popullsisë dinte të lexonte dhe shkruante në cilëndo gjuhë të pranishme në vend, e këto ishin arabishtja, anglishtja dhe italishtja. Arsimimi dhe zhdukja e analfabetizmit ishin ndër prioritetet shtetërore (Strangio, 2012, f. 51). Somalia gjatë kësaj kohe kishte të garantuar plasim e eksporteve të saj kryesore, të bananes në Itali me çmime preferenciale si dhe të bagëtisë në Arabinë Saudite. Ndërsa rreshtimi i atëhershëm drejt botës socialiste i mundësoi edhe ndihma ekonomike nga Bashkimi Sovjetik, Gjermania Lindore, Bulgaria etj (Patman, 1990, f. 130). Përpjekjet për përparimin e ekonomisë dhe shtrirjen e arsimimit në mesin e popullatës, nuk mund të anashkalojnë faktin se në rrafshin politik Barre ishte një diktatorë i cili nuk hezitonte të eliminonte jo vetëm politikisht por edhe fizikisht kundërshtarët e tij gjë që më vonë do t’i hakmerret. Pavarësisht kësaj, Mohamed Siad Barre me gjithë diktaturën e brendshme në shtet, kërkonte mënyra për të krijuar imazhin e një prijësi popullorë dhe shpesh luante me kartën e një nacionalizmi të sforcuar, respektivisht po stimulonte rikthimin e aspiratave somaleze për bashkimin e të gjitha territoreve të banuara me somalez në një shtet. Duke kujtuar kolonizimin e Somalisë më parë nga fuqitë evropiane, dhe Ogadenin nën Etiopi, tek somalezët përdorimi i konceptit të “kolonizatorëve euro-abisinas” fliste qartë mbi mënyrën se si ata e vështronin çështjen e bashkëkombësve në Etiopi (Lata, 2004, f. 117). Në Qershor 1977, trupat ushtarake të Somalisë do të kalojnë kufirin me Etiopinë e cila gjithashtu udhëhiqej nga një regjim komunist dhe brenda luftimeve në tre muajt e parë do të vënë nën kontrollin e tyre 90 përqind të Ogadenit. Rrjedha e luftimeve në Ogaden do të 10
Mentor Tahiri: Somalia
ndryshojë në disavantazh të ushtrisë somaleze, vetëm pasi blloku komunist sovjetik dhe kuban do të përkrahin haptazi Etiopinë. Sovjetikët në anën e Etiopisë kishin angazhuar kryesisht këshilltarë ushtarak, por Kuba kishte sjellë madje 20 mijë ushtarë në ndihmë ushtrisë etiopiane, kurse në numër më të vogël regjimit komunist në Etiopi i kishin ardhur edhe trupa nga Gjermania Lindore dhe Jemeni Jugorë socialist. Pas kësaj, ushtria somaleze tërhiqet nga Ogadeni, kurse vetë Somalia që tani kishte shkëputur marrëdhëniet me aleatin e dikurshëm Bashkimin Sovjetik, rirreshtohet krah SHBA-ve. Arsyeja kryesore pse shtetet e bllokut socialist u rreshtuan krah Etiopisë dhe jo krah Somalisë, ishte refuzimi që Barre i kishte bërë në Mars 1977, propozimit të Fidel Kastros, për një federatë të shteteve socialiste të Bririt të Afrikës dhe Jemenit Jugorë (Patman, 1990, f. 151). Diktatorit Barre, rreshtimi një herë krah Bashkimit Sovjetik, e më pas krah SHBA-ve, i mundëson krijimin e forcave ushtarake më të mëdha në rajonin e gjerë të Bririt të Afrikës, duke arritur në 120 mijë trupa (Daddieh & Mengisteab, 1999, f. 262). Ndihma amerikane në atë kohë vlerësohet në 800 milion dollarë amerikan (Peterson, 2000, f. 13). Por, investimi i vazhdueshëm ne ushtri, në thelb pamundësonte çfarëdo përpjekje për demokratizim të shoqërisë. Në vitin 1978 tentohet një grushtet i ri në Somali, kësaj radhe për të rrëzuar nga pushteti Barren. Pas mossuksesit të këtij grushteti, regjimi do të ashpërsoj masat ndaj oponentëve politik. Gjatë gjithë viteve të tetëdhjeta, këto masa do të arrijnë dy efekte të kundërta për vetë regjimin e Barres, ngase në një anë i humbiste atij popullaritetin i cili ishte tani gjithnjë më i vogël, kurse në anën tjetër kishte detyruar shumë grupe oponente politike të ikin jashtë Somalisë, sidomos në Etiopi, ku këto grupe do të organizohen politikisht dhe me ndihmën e Qeverisë Etiopiane do të krijojnë edhe celulat paraushtarake të tyre të cilat së shpejti do të përhapen nëpër Somali. Organizata e cila do të njihet me emrin Lëvizja Kombëtare Somaleze e cila ishte i themeluar nga pjesëtarët e fisit Ishak në Londër me 1981, dhe me ndihmën e qeverisë në Adis Abeba haptazi po vepronte në Etiopi, do të realizon sulmin e parë të armatosur qysh me 1982 kur gjatë sulmit në burgun Mandera ka arritur të lirojë mbi 700 të burgosur politik. Deri në vitin 1988 ajo do të 11
Mentor Tahiri: Somalia
arrijë që ushtarakisht të vë nën kontroll zonat rurale në veriperëndim të vendit, kurse me 1988 do të arrijë të fusë nën kontroll edhe qytete përfshirë portin e rëndësishëm Berbera pranë Gjirin të Adenit.
Zhbërja e shtetit Pakënaqësia ndaj regjimit, kishte shkaktuar krijimin e disa fraksioneve politike të cilat nën organizimin e tyre kishin edhe formacionet e tyre paraushtarake. Qysh në fund të viteve të tetëdhjeta, pushteti kishte vështirësi në detyrimin e somalezëve për të shërbyer si regrutë në ushtri. Mungesat e kapaciteteve ekonomike dhe papunësia, detyruan shumë të rinj që t’i bashkohen forcave të ndryshme paraushtarake (Lowther, 2007, f. 27). Izolimi i regjimit do të shkaktojë që në radhët drejtuese të ushtrisë, të emërohen kryesisht njerëz që vinin nga vendlindja e Mohamed Siad Barre dhe nën-klani Marehan, duke ia humbur ushtrisë kombëtare imazhin e një ushtri të shtetit. Pas largimit të Barres nga pushteti që vjen si rezultat i humbjes së kontrollit në kryeqytetin Mogadishu me 26 Janar 1991, pushon së ekzistuari edhe ushtria e shtetit e bashkë me të edhe çdo autoritet shtetërorë i Somalisë, kurse fraksione të ndryshme marrin kontrollin në pjesë të ndryshme të Somalisë. Vetë Barre ishte larguar në panik total me i mbyllur në një tank duke lënë thasë me para pranë ish rezidencës së tij (Peterson, 2000, f. 15). Pas largimit të regjimit të Barres, fraksionet kryesore politike dhe paraushtarake: Kongresi i Bashkuar Somalez, Lëvizja Kombëtare Somaleze dhe Lëvizja Patriotike Somaleze të cilat kishin qenë së bashku kundër regjimit të Barres, dështojnë të krijojnë një pushtet të përbashkët, respektivisht menjëherë pas largimit të Barres nga Mogadishu, zotimi i këtyre fraksioneve politike për një bashkëpunim politik pëson kolaps si rezultat i apetiteve për pushtet. Kongresi i Bashkuar Somalez i prirë nga Mohamed Farah Adid, që kishte një kontroll më të konsoliduar në kryeqytetin Mogadishu, vetëshpallet si qeveri e vendit, por si e tillë nuk njihet edhe nga grupet tjera. Mohamed Farah Aidid nuk është i vetmi që do të pretendojë udhëheqjen e vendit, ngjashëm do të veprojë edhe Ali Mahdi Mohamed i cili gjithashtu vjen nga Kongresi i Bashkuar Somalez, duke bërë që kjo organizatë të ndahet në dy pjesë dhe që luftimet ndërmjet tyre për kontrollin në 12
Mentor Tahiri: Somalia
Mogadishu, ta shndërrojnë këtë qytet në një qytet të ndarë nga vijat frontale, ku mbështetësit e Adidit kontrollonin jugun e qytetit, kurse ata të Mohamedit veriun. Për pesë muaj me radhë luftimet nëpër rrugët e Mogadishu do ta shkatërrojnë gjithë infrastrukturën përfshirë dhe furnizimin me ujë dhe do të sjellin një kaos, i cili për fat të keq do të jetë vetëm një uverturë për tragjedinë humanitare që do të pasojë. Vetëshpalljen e liderëve në krye të vendit, si të Adid ashtu edhe të Mahdit, që të dy nga klani Hauia, Lëvizja Kombëtare Somaleze do ta konsiderojë si vazhdimësi tradicionale e arrogancës “jugore” dhe shpërfillje e veriut të vendit. Pikërisht tek kjo pakënaqësi e Lëvizjes Kombëtare Somaleze e cila kishte bazën e saj kryesore në veri të vendit ku dominonte klani Ishak, qëndron procesi i cili do të krijojë rrethanat që në maj të vitit 1991 të vetëshpallet Republika e Somalilandit si shtet i pavarur (Daddieh & Mengisteab, 1999, f. 267). Pavarësisht mosnjohjes nga jashtë, Somalilandi që nga ky çast, përjashtuar incidente të vogla, faktikisht mbetet jashtë luftës qytetare. Disa muaj më vonë në Xhibuti mbahet një konferencë e fraksioneve dhe mediatorëve ndërkombëtarë e cila e njohu Ali Mahdi Mohamedin si President legjitim të vendit, por Mohamed nuk do të njihet nga të gjithë. Pavarësisht vështirësive për të shtrirë autoritetin në terren, Mohamed i cili u betua si president me 18 gusht 1991, u përpoq të krijojë një qeveri sa më përfshirëse brenda të cilës hynë 12 fraksione të ndryshme. Për rrethanat të cilat i imponoheshin liderit të ri të njohur ndërkombëtarisht, flet vetvetiu edhe fakti se për të përfshirë liderët e grupeve, ai u detyrua që në qeveri të emërojë 83 anëtar të kabinetit qeveritarë (Mukhtar, 2003, f. 38). Legjitimitetin e Presidentit Mohamed veç tjerash e njihnin edhe fuqi rajonale si Arabia Saudite dhe Egjipti, kurse nga shtetet evropiane e njihte Italia. Emërimi i Presidentit nuk u njoh veç tjerash edhe nga Mohamed Farah Aidid, andaj Presidenti i ri edhe pse njihej edhe nga faktori ndërkombëtarë, nuk mundi të shtrijë fuqinë në vend, përveç në disa lagje të kryeqytetit si dhe në pjesë jugore të Somalisë, ku në fakt edhe aty pushtetin real kishin grupet e armatosura të formuara sipas klaneve me të cilat ishte në koalicion. Praktikisht secili klan i madh dhe nën-klan kishte trupat e tij të armatosura. Numri i organizatave të 13
Mentor Tahiri: Somalia
ndryshme të armatosura qysh atëherë ishte rreth njëzet por disa nuk kishin nën kontroll të tyre efektiv pjesë të caktuara të ndonjë territori. Forcat të cilat i kishin qëndruar besnike ish diktatorit Barre, tani ishin organizuar nën emrin Fronti Kombëtar Somalez dhe kishin arritur të mbajnë kontrollin në pjesë periferike të jugut të Somalisë të mbështetur në kufijtë e Etiopisë dhe Kenias, territor ky i populluar nga nën-klani të cilit Barre i përkiste. Në pozitën më të vështirë ishte popullsia në jug të vendit ku po zhvilloheshin edhe luftimet më të ashpra dhe ku forcat besnike ndaj Barre, por jo vetëm ato, po përdornin në mënyrë rutinore taktikën e “tokës së djegur” kurse forcat e Adid duke penguar depërtimin e ushqimit, po përdornin urinë si armë (El Bushra & Gardner, 2004, f. 42), që ishte edhe një nga arsyet e drejtpërdrejta të vdekjeve nga uria. Në përgjithësi, njohësit e rrethanave në luftën civile në Somali, e cilësojnë pjesën jugore të vendit rreth qytetit Baidoa si “trekëndëshi i vdekjes”. Ishte ky rajoni me intensitetin më të madhe të luftimeve në gjithë vendin, një rajon territorialisht i ngushtë për të plotësuar ambiciet e të gjitha grupacioneve, në përgjithësi në jugun e vendit akterë të drejtpërdrejtë ishin vetë Mohamed Siad Barre, Mohamed Farah Aidid dhe Ali Mahdi Mohamed si njerëzit në duart e të cilëve ishte zgjedhja strategjike që mund të realizohej me 1991 dhe të cilët po vendosnin nëse Somalia do të provonte të rivendoste paqen apo të përfundonte në kaos të përgjithshëm siç edhe do të ndodhë. Kryeqyteti Mogadishu u shkatërrua gjatë të luftimeve të ashpra në vitin 1991 mes dy fraksioneve të Kongresit të Bashkuar Somalez. Kurse deri në vitin 1992, Somalia vlerësohet të jetë ndarë në së paku 11 zona të kontrolluara nga ushtri të ndryshme të cilat kishin kontrollin mbi territore kryesisht të bazuar në kufij klanor dhe nën-klanor por me përjashtime edhe jashtë kufijve të tyre duke shtyrë vijat frontale duke bërë që një qytet të kalonte nga kontrolli i një ushtrie në kontroll të ushtrisë tjetër. Gjatë gjithë rrjedhës së luftës organizatat politike e që gati të gjitha ishin edhe organizata paraushtarake vinin dhe shtoheshin. Ato ndërmjet tyre kohë pas kohe edhe merreshin vesh për armëpushime, shembull ishte armëpushimi mes Aidid dhe Mohamed në Mogadishu pas pesë 14
Mentor Tahiri: Somalia
muaj të luftimeve të ashpra urbane. Fraksionet jo rrallë edhe lidhnin koalicione por gjithmonë të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme. Praktikisht në Somali, akterët e luftës më as që kishin ndonjë koncept apo ide të qartë për qëllimet, thjeshtë çdo klan po luftonte kundër klanit tjetër. Harta në vijim flet mbi kufijtë e demarkacionit në qershor të vitit 1992.
Harta 3: Grupet e Armatosura ne Somali me 1992
Angazhimi ndërkombëtarë 1992-1995 Pas eskalimit të luftimeve në Somali dhe sidomos mosinteresimit të fraksioneve paraushtarake për fatin e popullsisë civile, vlerësohet se vetëm në vitin 1992 dhe atë kryesisht rreth qytetit Baidoa, vdiqën nga uria rreth 220 mijë njerëz. Paradoksalisht territori rreth Baidoas është ndër tokat më produktive bujqësore të vendit, por në aktivitetet e tyre. Forcat paraushtarake bënë çmos për të shkatërruar resurset bujqësore, si mjet terrori. Baidoa popullohet kryesisht me pjesëtarë të klanit Rahanuein, të cilët kishin mbetur krejtësisht të pambrojtur në luftimet që 15
Mentor Tahiri: Somalia
zhvilloheshin mes forcave të Aidid kryesisht të klanit Hauia dhe forcave të ish regjimit të Barres tani të transformuara në Frontin Kombëtar Somalez rreth të cilit në fakt ishin të grupuar kryesisht pjesëtarë të nën-klanit Marehan të cilit i përkiste edhe Barre. Kombet e Bashkuara reaguan me krijimin e misionit UNOSOM, bazuar në rezolutën 751 të datës 24 Prill 1992 të aprovuar nga ana e Këshillit të Sigurimit. Mandati i UNOSOM përfshinte monitorimin e armëpushimit mes fraksioneve në Mogadishu, dhe sjelljen e ndihmave humanitare duke siguruar portet detare dhe aeroportin në Mogadishu. Si i tillë mandati në këtë formë ishte i pamjaftueshëm, ngase në momentin që ushqimet dilnin nga portet apo aeroporti për t’u shpërndarë tutje në vendet e nevojshme, ato përvetësoheshin nga palët ndërluftuese të cilat ushqimin e përdornin si armë për të shtypur popullatën civile të klaneve rivale apo edhe shisnin në tregun e zi me çmime joproporcionale. Rrjedhimisht me këtë, Këshilli i Sigurimit qysh me 28 Gusht 1992 aprovon rezolutën 775 me anë të së cilës personeli i OKB-së autorizohet të mbrojë konvojet dhe qendrat e shpërndarjes së ushqimit kudo nëpër Somali, kurse me rezolutën 794 të datës 3 Dhjetor 1992 autorizon vendet anëtare të formojnë një Task Forcë të unifikuar – UNITAF, e cila do të mund të sigurojë vendbanimet kryesore ku ishte e sistemuar popullata. Mbështetur në rezolutën 794 e cila në mënyrë tekstuale kërkon nga SHBA-të të ofrojnë angazhimin e tyre, presidenti amerikan George Bush (i vjetri) autorizon operacionin e ushtrisë amerikane “Rikthimi i shpresës”. Afro 30 mijë trupa marine amerikane zbarkuan në Somali me 2 Nëntor 1992 (Lowther, 2007, f. 28), duke bërë që me aktivitetet e tyre të krijojnë rrethana që deri në mars të vitit 1993 të përballohet dhe shuhet kriza e urisë. Megjithatë duhet thënë se në bazë të analizave të mëvonshme që janë nxjerr nga përvoja e UNISOM, misioni shpesh herë ka hasur në vështirësi në implementimin e mandatit, ngase qëllimi primar ishte eliminimi i krizës së urisë por nuk kishte koncept afatgjatë të definuar se si të veprohet tutje në lidhje me kaosin somalez. Në anën tjetër, Mohamed Farah Adid, forcat paraushtarake të të cilit edhe kishin qenë shkaktari kryesor për vdekjet nga uria, vazhdonte që me retorikën e tij “anti-kolonialiste” të paraqes trupat e huaja ushtarake si okupatore duke i 16
Mentor Tahiri: Somalia
acaruar raportet mes UNISOM dhe një pjese të popullatës në Somali e që do të reflektohet në radhë të parë në vetë kryeqytetin Mogadishu. Për shkak të pamundësisë së mandateve aktuale të autorizuara nga OKB për të vepruar tutje përtej aspekteve humanitare në Somali, Këshilli i Sigurimit aprovon Rezolutën 814 me 26 Mars 1993, me anë të së cilës misionet UNOSOM dhe UNITAF transformohen në UNOSOM 2. Mandati i ri kishte autorizime të qarta për të vënë rendin dhe masat e nevojshme shtetformuese bazuar në akordimin e shumicës së fraksioneve politike-paraushtarake somaleze për një Somali federale ku 18 regjionet do të kishin autonomi të gjerë. Kjo nënkuptonte eliminimin e pengesave në këtë drejtim gjë qe drejtonte gishtin veç tjerash edhe në drejtim të Mohamed Farah Aidid. Incidenti i parë i rëndë mes trupave të UNOSOM 2 dhe paraushtrisë së Aidid do të ndodhë me 5 Qershor 1993, ku në konfrontim do të vriten 24 ushtarë pakistanezë të UNOSOM 2. Ishte e qartë se UNOSOM 2 kishte karshi tij një kundërshtarë që shfrytëzonte popullatën civile si për tu fshehur ashtu për t’i përdorur si mburojë gjatë luftimeve. Rezoluta 837 e Këshillit të Sigurimit do t’i jap UNOSOM 2 kompetenca shtesë, në shërbim të kapjes apo eliminimit të Aidid. I gjithë mandati i UNOSOM 2 do të ndërlidhet me aktivitetet rreth Aidid me humbje tek të dyja palët, përfshirë edhe humbjen e ushtarëve amerikan gjatë verës 1993. Me 3 Tetor 1993, do të realizohet përpjekja më masive për të kapur Adid dhe për të paralizuar grupin e tij politik. Ajo që më pas do të shënohet në histori si Beteja në Mogadishu, do të jetë përcaktuese për misionet ndërkombëtare në Somali dhe fatale për somalezët, ngase do të dekurajon komunitetin ndërkombëtarë dhe në veçanti SHBA-të në drejtim të angazhimeve për vendosjen e rendit në Somali. Beteja e Mogadishut fillimisht ishte planifikuar si një operacion i shkurtër. Qëllimi ishte sulmi në ndërtesën ku “qeveria” e Aidid po mbante takim (Wheeler & Roberts, 2012, f. 6). Pas burgosjes së shumicës së anëtarëve të “qeverisë” së Adid, trupat amerikane do të hasin në rezistencë të ashpër, me rast vjen deri tek rrëzimi i dy helikopterëve “Black Hawk” (Fajkoi i zi). Përpjekja amerikane për të shpëtuar ekuipazhin në këta helikopterë do të shndërrohet në një betejë të 17
Mentor Tahiri: Somalia
ashpër ku jetën humbën rreth 500 somalezë (El Bushra & Gardner, 2004, f. 186), 18 ushtarë amerikanë dhe një ushtarë nga Malajzia. Kjo betejë do të shërbejë gjatë si ngjarje e cila për komunitetin ndërkombëtarë ishte tregues i mosgatishmërisë vendore për paqe. Për vetë ushtrinë amerikane, bazuar edhe në literaturën e shumtë në lidhje me këtë dhe emisione speciale në media, do të shërbejë si një set mësimesh se si të veprohet në kushte urbane në zona armiqësore. Ndërkaq një nga çështjet e rishikuara gjithashtu tregon se intervenimi amerikan është dashur të fokusohet edhe në portet tjera si në Kismajo apo Berbera, dhe se koncentrimi në Mogadishu ka ngritur edhe rëndësinë e fraksioneve kundërshtare në qytet (Duyvesteyn, 2005, f. 113). I dëshpëruar nga papjekuria somaleze, me 7 Tetor 1993, Presidenti Bil Klinton do të deklarojë publikisht se SHBA-të kanë përfunduar politikën proaktive në Somali dhe se trupat do të tërhiqen të gjitha deri me 31 Mars 1994. Kjo praktikisht imponoi edhe një plan të tërheqjes të gjithë misionit UNOSOM 2, i cili pa përkrahjen amerikane ishte praktikisht i pamundur. Në të vërtëtë misionet e OKB-së në Somali ishin kryekëput të bazuara në ndihmën amerikane. Ndërsa fakti se kishte dy seli në Mogadishu të cilat kishin komandën kontribuoi në mungesën e shumë rezultateve (Howard, 2008, f. 25). Pas vendimit të Presidentit Klinton, Këshilli i Sigurimit me rezolutën 954, planifikoi tërheqjen finale te UNOSOM 2 me 31 Mars 1995, por në fakt shumë vende tërhoqën trupat së bashku me amerikanët, si Belgjika, Franca dhe Suedia. Në fakt strategjia e Aidid kishte qenë fare e thjeshtë, shtrëngimi i trupave të huaja që të tërhiqen pas rezistencës së ofruar (Lowther, 2007, f. 71). Tërheqja amerikane ndodhi edhe në rrethana kur shumica bindëse e qytetarëve amerikanë nuk përkrahnin angazhimin e trupave në Somali (Lowther, 2007, f. 119). UNOSOM 2 u tërhoq nga Somalia, duke mos arritur të krijoi një qeveri stabile në vend, por që në realitet ishte e pamundur pa bashkëpunimin e forcave politike dhe paraushtarake në vend, të cilat përkundër nënshkrimit të vazhdueshëm të marrëveshjeve, nuk i respektonin fare ato, duke treguar mospajtimet e thella ndërmjet tyre. Papjekuria e një pjesë të liderëve somalezë dekurajoi çfarëdo veprimi të komunitetit ndërkombëtarë gjatë kësaj kohe. Sidoqoftë angazhimi ndërkombëtar gjatë vitit 1992 dhe sidomos operacioni “Rikthimi i Shpresës” kishin korrur një 18
Mentor Tahiri: Somalia
sukses të veçantë në shuarjen e krizës së urisë duke parandaluar vdekjen e më shumë njerëzve. Nga 220 mijë njerëz sa vlerësohet të kenë humbur jetën si pasojë drejtpërdrejte e mosushqyerjes, mendohet që rreth gjysma e tyre ishin fëmijë nën 5 vjeç. Megjithëse vlerësohet se intervenimi ka parandaluar vdekjen e së paku edhe 1.4 milion banorëve, fakti se ai është ndërprerë në një fazë shumë kritike duke lënë pas kaosin somalez po aq aktiv sa ishte para ndërhyrjes, në përgjithësi e bën të konsiderohet si një nga dështimet më të mëdha të misioneve të OKB-së (Howard, 2008, f. 329), kurse është edhe fakt i paevitueshëm se në mesin e 27 kontigjenteve të ndryshme të paqerruajtësve të OKB-së në Somali, asnjëherë nuk ka pasur harmoni (Wheeler & Roberts, 2012, f. 192).
Vazhdimi i luftës dhe Qeveritë Tranzitore Tërheqja e UNOSOM la Somalinë në një gjendje anarkie, kurse paraushtritë shumë shpejtë konsoliduan bazat e tyre. Aidid kishte transformuar grupin e tij të Kongresit të Bashkuar Somalez në Aleancën Kombëtare Somaleze, duke lidhur koalicione me grupe të interesit në jug të vendit, gjë që i mundësoi atij zgjerimin e hegjemonisë në drejtim të klaneve tjera. Nënshtrimi ushtarak që Aidid i bëri territorit rreth qytetit Baidoa, i banuar me pjesëtarë të klanit Rahanuein, i nxiti këta të fundit që të organizohen me ç’rast edhe formojnë Armatën Rahaneuine të Rezistencës, e cila praktikisht do të bëhet kundërshtari më i fortë i Adid. Edhe pas vrasjes së Adid me 1996, forcat e tij do të qëndrojnë fuqishëm të organizuara nën drejtimin e birit të tij Husein Farah Aidid. Në janar 1997, përfaqësues të 26 fraksioneve të ndryshme somaleze, përjashtuar Aleancën Kombëtare Somaleze, takohen në Etiopi, krijojnë Këshillin Kombëtar për Shpëtim i cili do të ushtrojë detyra si qeveri. Husein Aidid kundërshton këtë vendim duke konsideruar vetën e tij si President legjitim, bazuar në marrëveshjet që Mohamed Farah Aidid kishte realizuar me disa fraksione jugore para vdekjes së tij. Pas refuzimit të Adid, Egjipti arrin që të mbledhë në Kajro në Mars 1997 liderët e shumicës së fraksioneve përfshirë Husein Aidid dhe Ali Mahdi Mohamed, ku palët merren vesh për krijimin e një trupi qeverisës gjithëkombëtarë dhe i cili mbetej të kompletohej pas një takimi i cili ishte aranzhuar të mbahej në Baidoa. Përkundër 19
Mentor Tahiri: Somalia
dakordimit, takimi për të cilin u pajtuan në Kajro nuk u organizua asnjëherë, kryesisht si rezultat i mosgatishmërisë së Aidid për të tërhequr trupat e tij nga Baidoa, gjë që ai do të detyrohet ta bëjë pas ofensivës së Armatës Rahanueine të Rezistencës. Rahanueinët do të arrijnë që deri në vitin 1998 të marrin nën kontrollin e tyre territoret ku ishin shumicë, përfshirë edhe qendrën Baidoa. Në veri të vendit ka vazhduar stabiliteti relativ, ngjashëm me Somalilandin në vitin 1991, vepron edhe Puntlandi me 1998, por për dallim nga Somalilandi, dallim ky esencial dhe shpresëdhënës për dizajnimin e një të ardhmeje për Somalinë, Puntlandi me gjithë shpalljen e tij shtet, nuk e konsideron shkëputjen e plotë vendi. Kjo në njëfarë mënyre edhe i hapi rrugë konceptimit të Somalisë si federatë, një koncept që më vonë do të dëshmohet shumë më i afërt dhe më i pranueshëm për fraksione të ndryshme. Përveç suksesit të Armatës Rahanueine të Rezistencën, me ndryshime të vogla, përfshirë edhe vitet e para pas mileniumit të ri, gjendja në terren mbetet gati e pandryshueshme substancialisht. Në kushte të mosfunksionimit të shtetit apo të çfarëdo qeverisjeje të fuqishme stabile në qendër dhe jug të Somalisë, funksiononin tregjet dhe në përgjithësi tregtimi. Somalezët e detyruan t’i përshtaten rrethanave dhe nevoja për të jetuar tani kur praktikisht ishin lënë të vetmuar nga komuniteti ndërkombëtarë, kjo bëri që edhe linjat e demarkacionit mes fraksioneve të armatosura të relativizohen në mënyrë që njerëzit të munden të qarkullojnë. Në maj të vitit 2000 në Arta të Xhibutit, organizohet një konferencë paqësore e shumicës së fraksioneve, në të cilën krijohen Kuvendi i Përkohshëm Kombëtar dhe ekzekutivi i vendit me emrin Qeveria e Përkohshme Kombëtare. Këto organe nuk arritën të shtrinë autoritetin siç parashihej dhe humbnin efektin për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në postet kryesore. Deri në vitin 2004, u emëruan katër kryeministra të ndryshëm. Rëndësia e këtyre organeve megjithëse të panjohura nga të gjitha fraksionet qëndron në faktin, se ato përfaqësonin qeverinë në marrëdhëniet ndërkombëtare duke rikthyer anëtarësinë somaleze në shumë nisma rajonale dhe botërore. 20
Mentor Tahiri: Somalia
Në tetor të vitit 2004, Kuvendi i Përkohshëm Kombëtar, transformon ekzekutivin në Qeverinë e Përkohshme Federale, duke zgjedhur Abdullahi Jusuf Ahmed si President të ekzekutivit. Ahmed deri atëherë ishte President i Shtetit Autonom të Puntlandit të vetëshpallur me 1998. Qeveria e Përkohshme Federale vuri nën kontroll efektiv pjesë të mëdha të vendit dhe u pranua edhe nga strukturat autonome në Puntland. Por pamundësia e Qeverisë së Përkohshme Federale për të vënë nën kontroll paraushtritë, përkundër faktit se disa prej tyre e njihnin nominalisht qeverinë, solli deri tek organizimi dhe forcimi i Unionit të Gjykatave Islamike, një strukturë e cila kishte qëllim të saj vendosjen e rendit me anë të sheriatit islam dhe eliminim e paraushtrive. Unioni i Gjykatave Islamike, që në fakt brenda tij përfshinte një spektër të gjerë grupacionesh nga të moderuarit deri tek radikalët, arriti të vë nën kontroll edhe kryeqytetin Mogadishu duke përzënë nga ai të gjitha fraksionet tjera të armatosura. Në pamundësi për të vepruar në Mogadishu, qeveria e njohur ndërkombëtarisht nën kryesimin e Ahmed, do të zhvillojë aktivitetin e saj në Baidoa deri në momentin kur me ndihmën e trupave të Etiopisë dëbon Unionin e Gjykatave Islamike nga Mogadishu kurse gradualisht edhe nga territore tjera në jug të vendit. Në betejën e Ras Kambonit të datës 7 Janar 2007, kundër trupave të Unionit të Gjykatave Islamike, trupave etiopase dhe atyre të qeverisë do t’u ndalë në ndihmë edhe aviacioni luftarak amerikan. Në përgjithësi mendohet se numri i ushtarëve të vrarë etiopian të angazhuar Somali arrin në rreth pesëqind. Unioni i Gjykatave Islamike përkundër disavantazhit numerik, pas tërheqjes nga Mogadishu, megjithatë mbante pjesë të konsiderueshme të territorit nën kontrollin e tij, përfshirë portin e rëndësishëm detarë Kismajo. Lufta e qeverisë së përkohshme kundër Unionit të Gjykatave Islamike, do të krijojë një realitet të ri. Një pjesë e këtij grupimi do të marr arratisjen jashtë vendit, bëhet fjalë për të më moderuarit, kurse një pjesë do të merr rrugë radikale duke e themeluar organizatën Al Shabab. Të moderuarit do të organizohen fillimisht rreth Aleancës për ri-çlirimin e Somalisë, pastaj nën udhëheqjen e Sharif Sheik Ahmed do të pranojnë autoritetin e qeverisë, gjë që ishte e mundur pas relaksimit të raporteve që ndodhi pas tërheqjes së ushtrisë etiopiane nga Somalia. 21
Mentor Tahiri: Somalia
Me 31 Janar 2009, pikërisht Sharif Sheik Ahmed, dikur një nga udhëheqësit e Unionit të Gjykatave Islamike, do të emërohet President i Somalisë, pasi fiton garën në Kuvendin e mbajtur në Xhibuti. Emërimi i Sharif Shaik Ahmed shënoi kthesë të papritur politike ngase ndikoi që shumë elementë të organizuar në baza religjioze, që më parë nuk njihnin autoritetin qendrorë tani ta bënin atë, por jo edhe organizata radikale Al Shabab e cila vazhdon luftën kundër autoriteteve në Mogadishu, pavarësisht faktit se Presidenti Shaik u përpoq t’i ftojë në dialog (Bruton, 2010, f. 19). Sharif Shaik Ahmed do të mbajë postin e Presidentit deri në skadimin e mandatit, siç ishte e paraparë me 2012. Pas kësaj, zyrtarisht pushojnë së vepruari organet e përkohshme federale, të cilat do të transferohen në organe federale si: Kuvendi Federal dhe Qeveria Federale.
Shteti Federal i Somalisë dhe përpjekjet për unifikim Pas aprovimit të Kushtetutës së re të vendit nga Kuvendi Kushtetues që përfaqësonte delegatë nga të gjitha klanet e vendit, i mbajtur në Mogadishu me 1 Gusht 2012, fillojnë së vepruari edhe organet e saj legjislative, ekzekutive dhe gjykatat. Kushtetuta e re e përcakton vendin si federatë të shteteve. Aktualisht të gjitha shtetet e shpallura më herët në Somali, përveç Somalilandit, kanë pranuar autoritetin e qeverisë federale në Mogadishu. Përndryshe vetë Kushtetuta nuk përmend shtetet konstituive me emër ngase mendohet se konstituivi i tyre ende nuk ka përfunduar, respektivisht ka territore që nuk gjenden aktualisht në kuadër të asnjërit shtet të shpallur deri më tani. Në kushtetutën e re lihet qëllimisht hapësirë ligjore për të krijuar shtete të tjera në kuadër të Somalisë, pasi që thuhet se shteti mund të krijohet nga bashkimi i dy apo më shumë regjioneve administrative. Për shkak të karakterit federal të shtetit, parlamenti i vendit përbëhet nga dy dhoma, me ç’rast dhoma e lartë garanton përfaqësimin proporcional të shteteve konstituive të federatës. Sipas kushtetutës, së paku 30% të anëtarëve të zgjedhur në parlament duhet të jenë femra.
22
Mentor Tahiri: Somalia
Shtetet konstituive të Somalisë kanë kompetenca të gjera që përfshijnë edhe forcat e tyre policore dhe forca tjera të sigurisë. Ushtria e Somalisë është në konsolidim dhe ka edhe ndihmën e forcave paqeruajtëse afrikane nga misioni AMISOM. Gjatë vitit 2012, Somalia përjetoi sërish krizën e urisë, kësaj rradhe jetën humbën 280 mijë njerëz, që është numër më i madh i viktimave se gjatë konfliktit me 1992. Ndonëse luftimet nuk ishin shkaktarë i drejtpërdrejtë i tragjedisë, është e qartë se Somalia po vuan pasojat e një paralize të gjatë ekonomike dhe sociale që ka stagnuar vendin. Thatësirat e mëdha të verës 2012 ishin gjëja e fundit për të cilët qeveria ishte e përgatitur, duke qenë plotësisht e koncentruar tek çështjet politike dhe të sigurisë. Sfidë kryesore e sigurisë mbetet luftimi i organizatës Al Shabab, e cila megjithëse nuk kontrollon qendra të rëndësishme të vendit, sërish ka shpesh nën kontrollin e saj zona të gjera rurale sidomos në jug të Somalisë. Al Shabab mendohet të ketë pasur rreth 4 mijë trupa aktive në vitin 2012, pas kësaj shpeshherë është raportuar për lidhjet e saj me një rrjet më të gjerë radikal islamik. Gjithashtu sfidë tjetër mbetet luftimi i piraterisë detare e cila aktualisht është në rrënjë vetëm falë aktiviteteve të forcave detare të shteteve tjera. Përndryshe organet e sotme shtetërore në Mogadishu nga shumica e komunitetit ndërkombëtare njihet si përfaqësues legjitim i Somalisë dhe mbulojnë ulëset në shumicën e organizatave botërore dhe rajonale përfshirë dhe OKB-në dhe të gjitha organizmat e saj. Shumë shtete të botës ka rihapur ambasadat e tyre në Mogadishu, përfshirë këtu Britaninë e Madhe, Turqinë, Iranin, Indinë etj. Inkurajimi i liderëve politik në Republikën e vetëshpallur të Somalilandit do të kompletonte administrativisht Federatën e Somalisë duke krijuar rrethanat që në tërësi të rikthejë kontrollin në kufij ndërkombëtarisht të pranuar. Sikur edhe në të kaluarën, vazhdojnë të qëndrojnë divergjenca të mëdha mes udhëheqje aktuale në Somaliland dhe autoriteteve somaleze, kryesisht të ndikuara nga përfaqësimi jo i duhur i klanit Ishak në strukturat e vendit para vitit 1991. Në anën tjetër, Somalilandi ka arritur të krijojë një kulturë të tij politike dhe rrethana ekonomike që mundësojnë inicimin e hulumtimeve të fushave të naftës, për çka i janë ofruar 23
Mentor Tahiri: Somalia
kompanitë britanike,kineze dhe afrikano-jugore (Jhazbhay, 2009, f. 94). Praktikisht Somalilandi ka krijuar një realitet të ri duke anashkaluar problemet të cilat i ka pasur pjesa tjetër e vendit, si dhe duke mos qenë fare as pjesë e tyre as në momentet e eskalimeve drastike të situatës.
Pirateria detare Mbështetur në Konventën e OKB-së mbi të drejtën e detit, neni 101, si dhe me Konventën mbi detin e hapur, me piratëri nënkuptohet çdo akt i paautorizuar i kryer me dhunë nga ndonjë anije private në detin e hapur, kundër anijes tjetër me qëllim të plaçkitjes (Gruda, 2009, f. 207). Aktet e piratërisë konsiderohen si krime ndërkombëtare. Në rastin e piraterisë somaleze, si pasojë e aktiviteteve të shumë viteve pas, qindra piratë somalezë vuajnë dënimet në burgje nëpër shtete të ndryshme, kurse në Arabinë Saudite edhe janë dënuar me varje ndërsa të tjera të dënuar me burgime të rënda. Pirateria detare si dukuri, marrë në rrafshin global nuk është sot një precedent i vetmuar në Somali, ajo është e pranishme në shumë ujëra anembanë botës dhe veçanërisht e pranishme në brigjet e Nigerisë, detin jugorë kinez, Gjirin e Bengalit dhe në Karaibe. Gjithsesi, rasti me piratërinë somaleze i dha masovizimin që vetë termi pirateri detare nuk e kishte për një periudhë të gjatë duke e rikthyer këtë në shqetësim të përgjithshëm ekonomik, politik dhe të sigurisë të përmasave ndërkombëtare. Pozicioni i Somalisë, imponon veç tjerash edhe kalimin e numrit të mëdha të anijeve jo larg brigjeve të saj. Nëpër Gjirin e Adenit kalojnë afro 20 mijë anije komerciale në vit, që përbën afro 10% të transitit komercial detarë në shkallë të përgjithshme botërore (Bahadur, 2011, f. 42). Do të ishte krejt e pakuptimtë të merremi me statistikat dhe faktet qe pirateria somaleze ka prodhuar ndër vite, po të mos trajtojmë fillesat e kësaj dukurie që nis nga brigjet në të cilat më nuk ekzistonte dora e shtetit. Me zhbërjen e shtetit pas rrëzimit të Barre që ndodhi me 1991, pushoi së vepruari edhe Forca Detare Somaleze siç quhej zyrtarisht rroja bregdetare, ujërat mbetën të pambrojtura. Para kësaj, duke filluar nga shumë vite më parë, ekonomia somaleze ishte e ndjeshme sa i përket resurseve të peshkut në ujërat pranë brigjeve të vendit. Në lidhje me këtë ishin marrë masa të duhura dhe ishin shtuar resurset duke promovuar atë që regjimi i 24
Mentor Tahiri: Somalia
atëhershëm e quante “peshkatari artizanale” por e cila në fakt po përbënte së bashku me kultivimin e bananes dhe eksportimin e bagëtisë, burimin kryesor të jetës për somalezët. Peshkatarët vendorë qysh në vitet e para të fillimit të luftës civile, kishin vështirësi në kapjen e peshkut duke vërejtur që resurset janë zvogëluar ndjeshëm. Kjo i atribuohet peshkimit që realizonin anijet e huaja fare pranë brigjeve somaleze. Sipas të dhënave nga Departamenti Britanik për zhvillim ndërkombëtarë - DFID, vetëm gjatë viteve 2003-2004, sasia e peshkut e peshkuar nga anijet e huaja në ujërat somaleze, kalon vlerën prej 100 milion Dollarë amerikan. Por ky është vlerësimi më minimal në këtë drejtim. Hulumtime kanë bërë edhe organizata të tjera ndërkombëtare, kurse disa vlerësime flasin edhe për humbje vjetore të resurseve të peshkut në ujërat e Somalisë në vlerë prej 450 milion Dollarë amerikan. Përtej humbjes së resurseve të peshkut ka raportime edhe mbi hedhjen e mbetjeve toksike në ujërat somaleze (United Nations Office on Drugs and Crime, 2009, f. 196). Si pasojë e këtyre hedhjeve toksike, ka të dhëna të cilat flasin mbi paraqitjen e shumë sëmundjeve që më parë nuk kanë qenë të pranishme në mesin e popullatës somaleze e cila jeton pranë bregdetit. Ky fakt do të përdorët më vonë nga piratët për çështjen e tyre duke e përdorur si arsyetim për aktivitetin qe bënin. Mund të thuhet që kjo gjendje prodhoi fazën e parë të piratërisë somaleze. Peshkatarët organizoheshin në formë sindikaliste dhe dëbonin anijet e huaja apo i detyronin të paguanin haraç. Është kjo faza kur nuk raportohen abuzime të pengjeve dhe si duket ky as nuk ka qenë qëllimi. Bazuar në këtë më lartë nuk është për tu çuditur se sipas hulumtimeve, rreth 70% e somalezëve e arsyetojnë piraterinë, duke e trajtuar atë si mjet për të mbrojtur ujërat territoriale dhe për të marrë kompensimin e merituar për aktivitetet ilegale të anijeve të huaja (Wilson, 2008). Ka gjithashtu indikacione sipas të cilave pirateria somaleze është aktivitet i ndërlidhur edhe me pjesëtarë të diasporës somaleze, e cila ndihmon me teknologji, sisteme transmetuese etj (Bahadur, 2011, f. 249). Në fazën e dytë, vijnë në shprehje grupe më të organizuara të cilat kishin vetëm një qëllim, pengmarrjen dhe përmes saj haraçin. Tanimë nuk bëhet fjalë për peshkatarë por për grupe të 25
Mentor Tahiri: Somalia
organizuara mirë dhe me armatim të nevojshëm për të realizuar qëllimin e tyre ndonëse me kapacitetet të kufizuara. Bazuar në kapacitetet dhe organizimin e piratëve somalezë mund të thuhet se ata kanë tejkaluar fazën e dytë që me 2006. Gjatë fazës së dytë, pirateria u luftua nga Unioni i Gjykatave Islamike i cili në atë kohë kishte arritur të merr nën kontroll Mogadishun dhe territoret përreth duke pamundësuar bazat tokësore të piratëve. Unioni i Gjykatave Islamike i trajtonte piratët sipas sheriatit dhe ky fakt ndikoi në zmbrapsjen e shumë grupeve nga veprimi. Por pas largimit të kësaj strukture religjioze-ushtarake nga kryeqyteti, sërish bregdeti mbeti i pa kontrolluar. Pas kësaj piratët somalezë kalojnë në një fazë tjetër, ku tani do të depërtojnë në largësi edhe më të mëdha duke sulmuar anije pranë brigjeve të Madagaskarit në jug, si dhe Xhibutit dhe Omanit në veri. Duke vërejtur rikthimin intensiv të dukurisë së piraterisë në ujërat pranë Somalisë, Këshilli i Sigurimit me 2 Qershor 2008 përmes rezolutës 1816 autorizon forcat ndërkombëtare detare të hyjnë në ujërat territoriale të Somalisë për luftuar aktet e piraterisë (Eichstaedt, 2010, f. 153). Pengmarrja e Anijes ukrainase Faina, shënoi fazën e tretë të piraterisë somaleze dhe përfundimisht edhe alarmon komunitetin ndërkombëtarë për një angazhim më të gjerë. Anija Faina u kidnapua deri sa po lundronte drejt portit Mombasa në Kenia (Radio Free Europe / Radio Liberty, 2009). Ajo po transportonte tridhjetë e tre tanke sovjetike T-72, 10 granatahedhës, gjashtë armë të mëdha kundërajrore dhe sasi të numërta të municionit (Eichstaedt, 2010, f. 2). Rasti Faina solli dy shqetësime me implikime ndërkombëtare. Shqetësimi i pari kishte të bënte me destinimin e armatimit pas arritjes në Mombasa e tutje. Ishte kohë e një paqeje të negociuar në Sudan, andaj pikërisht qeveria në Khartum do të shfaq dyshimin nëse qeveria keniane i kishte dedikuar ato për kryengritësit në Sudanin Jugorë. Ndërsa, shqetësimi i dytë, i krijuar pas pëngmarrjes së anijes ishte se ku mund të shkojnë tutje këto armë pasi që tani ishin në duar të piratëve somalezë. Për lirimin e Fainës, pengmarrësit u “shpërblyen” me 3 milion Dollarë amerikan. Ky rast gjithashtu shënoi një rritje të kërkesave të haraçit për lirimin e anijeve të grabitura në vitet në vijim, pasi që kërkesat për lirimin e anijeve do të arrijnë shuma të 26
Mentor Tahiri: Somalia
kërkuara të haraçit në vlerë prej mbi 5 milion Dollarë amerikan si mesatare e kërkuar për një anije. Viti 2009 konsiderohet si kulmi i efekteve negative të piraterisë detare somaleze. Mbështetur në të dhënat për piraterinë detare në shkallën botërore, pengmarrjet e realizuara nga piratët somalez gjatë vitit 2009, përbëjnë më shumë se 50 përqind të rasteve në gjithë piraterinë detare brenda vitit. Në ujërat brenda zonës së cilësuar si zonë veprimi e piratëve somalez, janë shënuar 217 sulme në anije, kurse në gjithë pjesën tjetër të botës 189 raste. Njëkohësisht gjatë këtij viti, gjë që ndërlidhet edhe me sensibilizimin e krijuar pas anijes Faina, fillon një kontroll më i rreptë, me ç’rast fillojnë të rrallohen rastet e sulmeve.
Harta 4: Depërtimet e piratëve somalez
27
Mentor Tahiri: Somalia
Zona që nga atëherë është nën monitorim të disa forcave detare përfshirë edhe një forcë të përbashkët detare evropiane e cila operon nën emrin “Forca Bregdetare Evropiane Somalia” si dhe forca të bashkuara nga Unioni Afrikan. Fakti se pas vitit 2009 e tutje aktivitetet pirate janë regjistruar më shumë në brigjet jugore të Somalisë dhe më rrallë në Gjirin e Adenit, vërtetojnë edhe përpjekjet e autoriteteve të Somalilandit dhe Puntlandit drejt luftimit të piraterisë, më konkretisht në shkatërrimin e bazave tokësore të piratëve. Megjithatë si forcave ndërkombëtare ashtu edhe atyre të autoriteteve somaleze (sidomos në Puntland dhe Somaliland) iu deshën vite për të zmbrapsur dhe mësuar taktikat e organizatave pirate të cilat vepronin në të shumtën e rasteve në grupe prej 12 deri 35 persona (Bahadur, 2011, f. 245). Në vitin 2013 rezulton se numri i sulmeve piratë është ulur minimalisht dhe nën mesataren e sulmeve në pjesë tjera të botës, gjithsejtë nëntë prej të cilëve asnjë i suksesshëm për piratët.
Viti
Sulmet nga piratët
Pengmarrjet e realizuara
2008 2009 2010 2011 2012 2013
111 217 127 176 35 9
14 46 47 25 5 0
Tabela 1: Aktivitetet e piraterisë detare somaleze
Marrë parasysh të gjitha ndikimet financiare si haraçi i paguar, rritja e premiumit të sigurimit të anijeve, anashkalimi i kanalit të Suezit etj, mendohet që në vitet e fundit të fazës së tretë të piratërisë, ndikimi i përgjithshëm negativ i shkaktuar për transportimin detarë arrinte në mesatarisht rreth 7 miliardë Dollarë amerikan në vit (Camilleri, 2013).
28
Mentor Tahiri: Somalia
Rezyme dhe rekomandime Anarkia, kaosi, urrejtja, vdekja janë disa nga gjendjet për të përshkruar Somalinë dhe rrugën e saj të gjatë antihistorike në drejtim të kundërt. Nuk ka deri më tani asnjë rast në botë, ku shteti të zhbëhet deri në këtë shkallë dhe pastaj kjo gjendje të mos mund të riparohet kaq gjatë si në Somali. Nuk ka asnjë dyshim, që në gjithë këtë, nuk mund të shihen vetëm humbjet të cilat kanë ndodhur, e ato sa i përket jetës së njerëzve janë përgjithmonë të pakthyeshme, por duhet të shihen si dhe aq sa është e mundur të ndalen pasojat që do të jenë gjatë të pranishme për shoqërinë e traumatizuar somaleze. Në kohën e diktatorit Barre, së paku deri në fiaskon e pësuar në Ogaden, ndjenja kombëtare promovohej dhe imponohej pa pyetur individin, pavarësisht ndërdijes e cila mund ta lidhte individin me identitetin e tij karshi klanit dhe nën-klanit të cilit i përkiste. Dëshira për të bashkuar truallin e banuar me somalez ishte alfa dhe omega e politikës shtetërore, kurse sot, jo qe një gjë e tillë është plotësisht jashtë çdo agjende somaleze, porse divergjencat brenda vetë Somalisë duken të parikuperueshme. Fakti se edhe përpiluesit e kushtetutës së re, bën kompromis duke e shpallur Somalinë një federatë shtetesh, tregon qartë për vështirësitë drejt rrugës për të bindur klanet dhe nën-klanet për të pranuar një autoritet shtetëror, të një kombi i cili paradoksalisht me rrethanat në të cilat gjendet, është etnikisht një nga kombet më homogjene afrikane. A mund t’i mëveshët faj komunitetit ndërkombëtarë që duke mos e kuptuar mirë kaosin somalez nuk diti as të veproj në përputhje me rrethanat ? Përgjigja në këtë pyetje qartësohet më shumë, kur vërehet se në mesin e literaturës së shumtë që u shkrua për ngjarjet në Somali dhe vetë intervenimin ndërkombëtarë, shumë nga kjo literaturë merret me Somalinë si me një mësim të mësuar, një leksion të paguar shtrenjtë sa i përket kredibilitetit të OKB-së, por të paguar më së shtrenjti nga vetë somalezët, të cilët përveç vrasjeve “ordinere” të përditshme nga armët, paguan papjekurinë e liderëve politik somalez edhe me gjysmë milion të vdekur nga uria. Kështu viktimat e urisë nga 1992 dhe ata të vitit 2012 flasin në thelb për gjendjen e 29
Mentor Tahiri: Somalia
pandryshueshme të stagnimit të një populli, fatalitet i cili lehtësisht u përsërit sërish pas 20 viteve. Sigurisht, nga gjithë kjo del se komuniteti ndërkombëtarë është fajtor për mos përgatitjen e duhur dhe sidomos mungesën e vendosmërisë të mos bërjes së kompromisit me shefat e luftës, të cilët në rastin e Somalisë, me agresivitetin e tyre arrinin të devijonin edhe planet e vetë OKB-së, misionet e së cilës duken se së paku në Somali vuajtën nga mos koordinimi i duhur dhe mungesa e tolerancës në mesin 27 kontingjenteve të ndryshme të paqeruajtësve. Në planin ushtarak, Somalia u tregoi ekspertëve që në të ardhmen duhet qenë përgatitur edhe për armikun më jo konvencional të mundshëm, me atë armik i cili si armë përdor urinë, krizën e bukës. Nga këndvështrimi i sotëm është gati e pamundur të kuptohet se si nuk u arrit asnjëherë të kapet Mohamed Farah Adid, por në lidhje me të, sërish komuniteti ndërkombëtarë duhet të nxjerrë një mësim, ngase mund të has në scenario të ngjashme edhe në vende tjera, kur paqeruajtësit ballafaqohen me një figurë për të cilën janë në gjendje të vriten mijëra njerëz. Në rastin e Adid, është tani e qartë, se çelësi gjendej në shkëputjen e lidhjeve që ai kishte krijuar me klanin e tij. Aidid kishte shndërruar klanin e tij në një trup lojalistësh të tij, kurse duke ditur të ngacmojë deri në themel kujtimet somaleze për kolonizimin, i paraqiti forcat e OKB-së si kthim të prezencës kolonialiste. Mbase shumë somalez të papjekur, kur luftonin kundër trupave të OKB-së dhe atyre amerikane në Mogadishu apo gjetiu, pandehnin se po bënin luftë për çlirimin e vendit të tyre. Në një shoqëri si shoqëria somaleze, gjatë intervenimeve duhet të mos harrohet edhe ambienti rrethues. Kur bota perëndimore shtyu Etiopinë të intervenon haptazi në Somali në vitin 2006, s’ka dyshim se u realizuan disa objektiva të para të përcaktuara nga perëndimi. U stabilizua një qeveri për herë të parë ishte në gjendje për të vepruar brenda vendit. Por, pasojat ishin edhe më afatgjate. Duke u parë në sytë e shumë somalezëve si qeveri e mbështetur nga Etiopia, jo qe kjo ndikoi në kthimin prapa të qeverisë së përkohshme, por edhe një front i ri i tërë luftëtarësh do të mobilizohet në atë që ata e shihnin si okupim etiopian, shto këtu edhe ndjenjat për bashkëkombësit në Etiopi. Kjo periudhë e fundit e luftës civile në shkallë të gjerë në Somali,
30
Mentor Tahiri: Somalia
morri me vete kohë të pakthyeshme në drejtim të bindjes së fraksioneve, se një administratë stabile në Mogadishu nuk ka të bëjë me Etiopinë a dikë tjetër, por me vetë somalezët. Përfshirja e një krahu të Unionit të Gjykatave Islamike në strukturat e sotme shtet-formuese në Somali, shënoi një fitore të rëndësishme drejt stabilizimit të vendit, si dhe shkatërroi edhe shtratin potencial për rritjen e organizatave ekstremiste religjioze në vend. Sot Al Shabab si gati kundërshtari i vetëm i hapur i qeverisë në Mogadishu, vështirë se do të mund të mbledh forcën në të ardhmen për të qenë në gjendje të rrezikoj vetë ekzistencën e shtetit. Por këtu është sërish përcaktues komuniteti ndërkombëtarë, i vetëdijshëm, së të lënit vetëm Somalinë, do të thotë edhe një herë dështim i saj. Pavarësisht historisë së një shteti të brishtë i cili ekzistoi për 3 dhjetëvjeçarë (1960-1991), komuniteti ndërkombëtar duke nisur nga OKB e deri tek nismat e gjëra rajonale si Liga Arabe, duhet trajtuar Somalinë ashtu siç është, një shtet i krijuar sërish nga fillimi dhe të cilin e pret një rrugë e gjatë e së pari definimit e pastaj edhe konsolidimit. Në përputhje me këtë, komuniteti ndërkombëtarë por edhe vendet anëtare, duhet të kuptojnë dhe implementojnë formulën e cila mund të garantoj sukses në Somali, kombinimin e masave politike dhe të sigurisë me ato ekonomike-financiare, siç u veprua me rastin e piraterisë detare somaleze. Fare në fund, nuk duhet harruar por as nuk lënë gjatë në gjendje të ngrirë, strukturën parashtetërore të prodhuar në veri të vendit, Somalilandin. Duke pas parasysh se kanë kaluar shumë vite në sisteme të ndara politike, është e qartë se Somalilandi nuk mundet të integrohet sipas ritmit të rajoneve tjera, ashtu sikur është e qartë se nuk do të vjen as deri tek legalizimi i shkëputjes nga frika e domino efekteve gjetiu nëpër rajon. Ky nuk është i vetmi problem i tillë as në Afrikë por as në botë, porse ekzistimi i territoreve “të braktisura” krijon vrima të shumta brenda rendit botërorë. Andaj pas konsolidimit të Federatës Somaleze e cila tani është në rrugë e sipër, prioriteti për zgjidhjen e çështjeve të hapura, në rastin e bririt afrikan, duhet të jetë fati i Somalilandit dhe mbase një zgjedhje me elemente asimetrike në raportin ndërmjet tij dhe autoriteteve federale.
31
Mentor Tahiri: Somalia
Bibliografia Allard, K. (2005). Somalia Operations: Lessons learned. CCRP Publication Series. Bahadur, J. (2011). The Pirates of Somalia: Inside their hidden world. New York: Pantheon Books. Bradbury, M. (2008). Becoming Somaliland. Bloomington: Indiana University Press. Bruton, B. E. (2010). Somalia A New Aproach. New York: Council on Foreign Relations. Capobianco, E., & Naidu, V. (2008). A Review of Helath Sector Aid Financing to Somalia. Washington D.C: The World Bank. Daddieh, C., & Mengisteab, K. (1999). State Building and Democratization in Africa: Faith, Hope, and Realities. Westport: Greenwood Publishing Group. Downing, W. (2009). Al-Qaida's (Mis)adventures in the Horn of Africa. West Point: Diane Publishing. Duyvesteyn, I. (2005). Clausewitz and African War: Politics and Strategy in Liberia and Somalia. New York: Frank Cass. Eichstaedt, P. (2010). Pirate State: Inside Somalia's Terrorism at Sea. Chicago: Lawrence Hill Books. El Bushra, J., & Gardner, J. (2004). Somalia The untold story: The war through the eyes of somali women. Sterling: CIIIR & Pluto Press. Gruda, Z. (2009). E drejta nderkombetare publike. Shkup: Furkan ISM. Howard, L. M. (2008). UN Peacekeeping in civil wars. Cambridge: Cambridge University Press. Jhazbhay, I. D. (2009). Somaliland: An African struggle for nationhood and international recognition. Midrand: The Institute for Global Dialogue. Lata, L. (2004). The Horn of Africa as Common Homeland. Waterloo, Ontario: Wilfrid Laurier University Press. Lowther, A. B. (2007). Americans and asymmetric conflict: Lebanon, Somalia and Afghanistan. Westport, Connecticut: Praeger Security International. 32
Mentor Tahiri: Somalia
Mukhtar, M. H. (2003). Historical Dictionary of Somalia (bot. i New Edition). Lanham, Maryland, Oxford: The Scarecrow Press. Murphy, R. (2007). UN Peacekeeping in Lebanon, Somalia and Kosovo. Cambridge: Cambridge University Press. Patman, R. G. (1990). The Soviet Union in the Horn of Africa. Cambridge: Cambridge University Press. Peterson, S. (2000). Me against my brother: At war in Somalia, Sudan and Rwanda. New York: Routledge. Rotberg, I. R. (2005). Battling Terrorism in the Horn of Africa. Cambridge, Massachusetts: World Peace Foundation. Selassie, B. H. (1980). Conflict and Intervention in the Horn of Africa. New York: Monthly Review Press. Strangio, D. (2012). The Reasons for Underdevelopment: The Case of Decolonisation in Somaliland. Berlin: Springer-Verlag. Wheeler, E., & Roberts, C. (2012). Doorway to Hell: Disaster in Somalia. Barnsley, South Yorkshire: Frontline Books. Woodward, P. (2006). US Foreign Policy and the Horn of Africa. Hampshire: Ashgate.
Botime elektronike Aalen, L. (2006). Ethnic Federalism and Self-Determination for Nationalities in a SemiAuthoritarian State: the Case of Ethiopia. International Journal on Minority and Group Rights, 13, 243-261. Camilleri, N. (2013, Shtator 24). Malta Independent. Gjetur në http://www.independent.com.mt/articles/2013-09-24/news/piracy-in-somalia-almosteradicated-2708537344/ Lucas, R. E. (2013). Somalia’s “Pirate Cycle”: The Three Phases of Somali Piracy. Journal of Strategic Security, 6, No.1, 55-63. doi:http://dx.doi.org/10.5038/1944-0472.6.1.5 OCIMF. (2009). Piracy - The East Africa/Somalia Situation. Edinburgh: Witherby Seamaship International Ltd. 33
Mentor Tahiri: Somalia
Provisional Constitution. (2012). Mogadishu: House of the People of The Federal Republic of Somalia. Radio Free Europe / Radio Liberty. (2009, Shkurt 2). Gjetur në http://www.rferl.org/content/Somali_Pirates_See_Ukrainian_Tank_Ship_Free_Within_ Days/1377697.html United Nations Office on Drugs and Crime. (2009). Maritime Piracy. The Pirates of Somalia: Ending the threat, rebuilding the nation. (2013). Washington D.C.: The World Bank. Wilson, C. (2008). Toxic waste behind Somali pirates. Sonoma State University. Gjetur në http://www.projectcensored.org/3-toxic-waste-behind-somali-pirates/
34